Balla takim me Sorecën: Bashkëpunim me BE për migracionin, sigurinë e luftën kundër krimit

Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaron se javën e ardhshme do të zhvillohet në Tiranë një takim i ministrave të brendshëm të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit, takim i cili paraprin Samitin e Tiranës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ministri Balla deklaron se gjatë takimit të zhvilluar sot me Ambasadorin Luigi Soreca, ka nënvizuar se kryefjalë e diskutimeve ka qenë bashkëpunimi me BE në çështje që lidhen me sigurinë, migracionin, apo luftën kundër krimit të organizuar.

“Javën e ardhshme mirëpresim në Tiranë ministrat e brendshëm të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit. Takimi i Ministrave të Brendshëm paraprin Samitin e Tiranës dhe synon thellimin e bashkëpunimit, integrimit rajonal dhe pëshpejtimin integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian.

Me Ambasadorin Luigi Soreca, të Ngarkuarin me Punë ad interim, i saporikthyer në Tiranë, diskutuam edhe për bashkëpunimin e ngushtë me BE në çështje që lidhen me sigurinë, migracionin, luftën kundër krimit të organizuar si dhe mbështetjen e nevojshme në kuadër të programeve IPA”, shkruan Balla./tvklan.al