Çmimet e reja të referencës, eksperti bën paralajmërimin: Taksat do çojnë deri në 35% rritjen e banesave, paraja e pisët…

Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Erion Harizaj në një intervistë televizive ka komentuar lidhur me çmimet e reja të referencës në Tiranë të cilat do të shtrenjtojnë me deri në 35 për qind apartamentet.

Ai tha se kundërshtimet e tyre nuk janë marrë parasysh dhe se çmimin përfundimtar e vendos tregu. Sipas tij, ndërtuesit janë duke paguar 50% më shumë se sa kanë rënë dakord në fillim dhe kjo normalisht që do të çojë në rritjen e çmimit të banesës.

Ne kemi parashtruar kundërshtitë tona, nuk janë marrë parasysh. Çmimet i vendos tregu jo shoqata, ne po kundërshtojmë koston që kjo zë në këtë çmim. Kërkesë oferta vendos çmimet në Tiranë dhe në fund fare kjo ndikon te konsumatori, ne na vështirëson nga ana e likuiditetit. Në këtë procedurë kemi shumë investitorë që shohim se do paguajmë 50% më shumë nga ajo që kemi rënë fillimisht dakord. Shumë janë tërhequr sepse kjo të çon në falimentin, taksa është shumë e fryrë në raport me vendet e rajonit. Vetë ndërtuesit kanë hequr dorë nga marrja e lejeve. 5 mln euro shtesë për një javë askush nga ndërtuesit nuk mund ti gjejë, janë shumë.

Më tej ai shtoi se janë duke marrë zhvillim zonat periferike për shkak të këtyre çmimeve, ndërsa theksoi se angazhimi financiar ka kosto direkte dhe indirekte. Sipas tij, taksa dyfishohet nën ndikimin e infrastrukturës dhe se kjo VKM është e nxituar.

Kostoja po shkon rreth 1 mijë euro metri katror me taksat e reja, prandaj dhe zonat që ishin më të favorizuara bëhen të paprekura tani me këto kosto. Sot ndërtimi dhe për efekt të këtyre kostove, po zhvillohen më shumë periferitë e Tiranës. Kjo do sjellë dhe zhvillimin e zonave periferike. Te Unaza e Re nëse është blerë 1 mijë euro m2 tashmë do shtohet dhe 200 euro më shumë, pra ka një kosto direkte nga e cila është prekur pothuajse gjithë Tirana. Çmimi referencës mesatare është rritur rreth 40%. Ne u konsultuam me grupet e interesit por nuk na dëgjuam, nuk është zona kadastrale kaq e vogël për të përfshirë një çmim reference. Hartimi duhet të kishte hyrë më thellë. VKM është e nxituar.

I pyetur nëse janë abuzive çmimet në kryeqytete, Harizaj tha jo, ndërsa bëri të ditur se çmimet i dikton tregu dhe ndërtuesit. Ndërsa duke përmendur paratë e pista në këtë sektor tha se i dëmton.

Çmimet në kryeqytetet nuk besoj se janë abuzive sepse janë rritur pothuajse kudo, ndërtimi është pothuajse në kurbën më të mirë. ne na janë dyfishuar taksat, kosto e madhe. Në 1 mijë euro ne i paguajmë 100 euro bashkisë. Paraja e pisët ne na dëmton në këtë sektor, por se sa para e pisët hyn ne nuk jemi kompetentë për këtë, duhet ta luftojnë organet kompetente. Rritja e taksave mund të ndikojë një biznes, por s’di të them më shumë për këtë se sa para të pisët ka në këtë sektor. Për të dëmtuar na dëmton shumë se ai biznesmen që hynë në këtë sektor për këtë gjë nuk hyn për të fituar, por për punët e veta. Nuk lidhemi direkt, kemi 20 vjet që merremi me ndërtim, taksat ne na falimentojnë, na vendosin në vështirësi ekonomike. Nga 2018 deri sot sektori ndërtimit është në rritje. Kostoja do ndikojë te çiftet e reja, te njerëzit në nevojë. Kjo VKM kur nisi, nisi për të gjithë Shqipërinë, dhe kur u zbardh ishte lënë vetëm Tirana. Taksat i rriten vetëm konsumatorit. Çmimin e referencës duhet ta ndajmë nga taksa, duhet të paraqesim dhe kostot sepse dhe ato janë rritur këto 3 vite. Ne rrisim çmimin e referencës vetëm për Tiranën gjë që është diskriminuese.