Ekspertët gjejnë gjurmë ADN-je në një gëzhojë, prova e vetme që mund të zbardhë sulmin ndaj Top Channel, do dërgohet në selinë e Europol

Një gjurmë ADN-je në gëzhojën e gjetur brenda makinës që u përdor në sulmin ndaj Top Channel është prova e vetme deri më tani, me të cilën Policia Shkencore synon të bjerë në gjurmët e autorëve.

Këtë të mërkurë, kanë përfunduar të gjitha akt ekspertizat e kryera në Policinë shkencore që ndodhet në Sauk. Ekspertiza ndaj targave të vendosura në automjetin e përdorur nga autorët ka përfunduar, por gazetarja Anila Hoxha mëson se nuk është gjetur asnjë gjurmë.

Herët në mëngjes, Policia shkencore ka këqyrur kallashnikovët për të kuptuar nëse janë përdorur në krime të tjera dhe rezulton se nuk janë përdorur.

Ndërsa për gëzhojën e gjetur në mjet, do të thirren gjashtë ekspertët që kanë qenë në vendngjarje me dyshimin se mos njëri prej tyre ka prekur gëzhojën pa përdorur doreza. Pas kësaj do të krahasohet me të dhënat që ndodhen në databazën e Policisë Shkencore.

Prova e administruar nga grupi i hetimit do t’i dërgohet më pas Europol-it me seli në Lion. Kjo metodë është përdoru dhe në vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku, raporton gazetarja Hoxha.

Hetimi po kryhet për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese në dëm të Pal Kolës dhe duke rrezikuar jetën e shumë të tjerëve. Policia vijon të marrë dëshmi, po këqyren kamerat sigurie rreth zonës afër godinës së Top Channel, por edhe kamera të tjera në ambiente të ndryshme por duke ruajtur sekretin hetimor, ende nuk ka të dhëna dhe emra konkretë.