“Mbaje mend, këtu do jemi”, Lefter Maliqi publikon VIDEON: Oligarku Pëllumb Slillari blen vota në Kuçovë! Policia nis hetimet për “kanosje”

Lefter Maliqi, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Kuçovës, ka publikuar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme një video ku shfaqet Pëllumb Salillari, biznesmeni i njohur në fushën e ndërtimit. Maliqi e ka denoncuar herë pas herë Salillarin në llogarinë e tij në Facebook.

“Oligarku Pëllumb Salillari është zhvendosur në Kuçovë dhe sot në diten e heshtjes zgjedhore ka dalë të blejë vota. Të tmerruar nga humbja e thellë që i pret nesër Çuçi ka angazhuar dhe patericën Salillari me shpresë se keshtu do e ndryshoj rezultatin”, shkruan Maliqi.

Ndërkohë, biznesmeni në fjalë shihet i ulur në një tavolinë me disa persona të tjerë, me aq sa kuptohet nga pamjet në një lokal të zonës. “Mbaje mend, këtu do jemi”, dëgjohet të thotë personi që filmon, por nuk dihet nëse është vetë Lefter Maliqi.

Pak minuta më parë, Policia e Shtetit ka lëshuar një njoftim zyrtar dhe thotë se ka procesuar penalisht shtetasin Lefter Maliqi dhe një person tjetër që e shoqëronte, pasi mbrëmjen e djeshme ka kanosur e fyer katër shtetas, punonjës të një kompanie ndërtimi.

Mesa duket, katër personat që shfaqen në tavolinë me Pëllumb Salillarin, janë punonjës të kompanisë së tij. Menjëherë pas videos, ata i janë drejtuar Policisë së Kuçovës dhe janë shprehur se janë fyer e kanosur nga Lefter Maliqi.

“Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. M., 51 vjeç, banues në Tiranë (kandidat për kryetar të bashkisë Kuçovë) dhe M. H., 48 vjeç, banues në Kuçovë (mbështetës i kandidatit).

Mbrëmjen e djeshme, në ambientet e një lokali në qytetin e Kuçovës, dyshohet se këta shtetas kanë fyer me fjalë dhe kanë shpifur për shtetasit Sh. Sh., 59 vjeç, A. Sh., 39 vjeç, A. K., 44 vjeç dhe A. K., 57 vjeç, të katërt punonjës të një firme ndërtimi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.