Pajisja PEI nuk njeh gishtin e votuesve, Celibashi pasi hodhi miliona dollarë në kosh: Votoni manualisht

Gjatë ditës së sotme, në zgjedhjet vendore të 14 Majit, qytetarët që i janë drejtuar qendrave të votimit në vend, janë përballur me mos-funksionim të pajisjeve elektronike të identifikimit. Probleme me pajisjen PEI ka pasur në shumë qytete të vendit dhe pas këtij dështimi, KQZ ka bërë thirrje që procesi i votimit t’i rikthehet metodës tradicionale, ku identifikimi do të bëhet në mënyrë manuale.

Ndonëse janë investuar miliona dollarë që në këto zgjedhje të votohej në mënyrë elektronike, tenderi i hapur nga Celibashi që ka kushtuar 20 milionë $ nga taksat e shqiptarëve, ka dështuar. Duke qenë se dështoi në pajisjet PEI, Ilirjan Celibashi i KQZ, ka urdhëruar se në rast se në qendrat e tyre nuk funksionon kjo pajisje të vijohet me identifikimin e votuesve në mënyrë manuale.

“Janë 533 qendra votimi për të cilat nuk kemi informacion, që do të thotë ose të gjitha këto qendra votimi nuk funksionin PEI, funksionoi pjesërisht plotësisht por ne këtë të dhënë nuk e kemi nëpërmjet sistemit. Jemi duke komunikuar me këto qendra komunikimi për të ditur nëse ty procesi është duke u zhvilluar nëpërmjet PEI apo manualisht”, tha Celibashi.